Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MAE), sot ka marrë formë Rrjeti për Hulumtim dhe Edukim i Kosovës, me anë të një memorandumi mirëkuptimi me institucionet e arsimit të lartë.

Ishin përfaqësuesit e 20 universiteteve dhe kolegjeve që nënshkruan memorandumin bashkë me ministrin Blerim Kuçi, duke e cilësuar këtë si ngjarje të rëndësishme në ndërlidhjen e arsimit dhe teknologjisë.

Ministri Blerim Kuçi theksoi se qëllimi i këtij memorandumi është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe rritja e punësimit përmes përfshirjes së teknologjisë së informimit dhe komunikimit, në veçanti qasja e resurseve të teknologjisë dhe dijes për studentët dhe profesorë të të gjitha kolegjeve dhe universiteteve në Kosovë.

“Përmes nënshkrimit të këtij memorandumi, unë ndjej kënaqësi sepse Kosovës i mundësohet qasje në një rrjet ndërkombëtar për t’i mundësuar dijen studentëve dhe profesorëve në qasjen e rrjeteve të ngjashme që janë në botë. Kjo është një risi, një mundësi shtesë të cilën ne duhet ta shfrytëzojmë dhe sot po nënshkruajmë marrëveshjen e mirëkuptimit bashkë me ju”, tha Kuçi.

Ndërsa, Fjolla Restelica-Ahmeti, koordinatore e projektit për ekonominë dixhitale ne Kosovë – projekti “KODE”, theksoi se përmes këtij projekti synohet që të financohen të gjitha aktivitetet që do ta ndihmojnë Kosovën në transformimin dixhital të vendit.

“Vetëm Kosova në rajon ende nuk e ka krijuar këtë rrjet dhe është më se i nevojshëm që përmes këtij rrjeti të ofrojë bashkëpunimin në mes të universiteteve tona fillimisht, dhe po ashtu edhe lidhjen e universiteteve tona me rrjetin më të madh evropian të hulumtimit dhe kërkimit shkencorë në Evropë”, tha ajo.

Ky rrjet pretendon që të arrijë zhvillimin e komunitetit të hulumtuesve, duke i siguruar këtij komuniteti qasje në resurse të ndryshme dixhitale, si: qasje në infrastrukturë moderne të teknologjisë së informacionit, shërbime të ndryshme dixhitale, qasje në literaturë, si edhe të ofrojë bashkëpunim në mes të institucioneve arsimore brenda dhe jashtë Kosovës.

Share This Story, Choose Your Platform!

Recent posts